Ambasadori britanik, Duncan Norman, i cili negocioi dhe kishte rol kryesor në marrëveshjen politikë të janarit që i hapi rrugë Këshillit Politik, kërkon që marrëveshja për reformën zgjedhore të miratohet në Kuvend pa humbur kohë.
Çdo ndryshim tjetër, sipas tij mund të ndodhë në një fazë tjetër.
“Ne kemi qenë mbështetës të Reformës Zgjedhore përgjatë gjithë procesit të saj. Ajo është shumë e rëndësishme pasi është një hap përpara për Shqipërinë në BE. Gjithashtu është me rendësi pasi garanton që zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mira. Mund të ketë ndryshime të tjera më vonë, por kjo nuk do të thotë se ajo që kemi tashmë nuk është e rëndësishme. Këshilli Politik ka arritur një marrëveshje dhe hapi i radhës është që ajo të shkojë në Parlament ku unë shpresoj të miratohet”.
Diplomati britanik nga Fieri i dha një mesazh opozitës parlamentare e cila kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor.
“Nuk është e drejtë që ne tu themi shqiptarëve se cila është forma e duhur për të bërë demokracinë të funksionojë. Por çdo lloj sistemi duhet të implementohet në mënyrën e duhur dhe pa korrupsioon. Në zgjedhjet e ardhshme ne duam të shohim që ndryshimet të zbatohen dhe zgjedhjet të zhvillohen të lira dhe në fund rezultati të jetë i drejtë.”
Ambasadori britanik e kupton rolin e shtuar të ndërkombëtarëve në politiken shqiptare por shpreson që në të ardhmen ai të zbehet.
“Ndërkombëtarët do të jenë këtu për sa kohë ju dëshironi. Por ju pyesni për sovranitetin. Shpresoj që me kalimin e viteve nevoja jonë të jetë gjithmonë e më e paktë.”
30 qershori shënon përfundimin e mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, ndërsa ende mbetet e paqartë nëse këshilli politik do ta respektojë këtë afat apo do të shmangë komisionin duke ndjekur rrugë të tjera parlamentare.