Një situatë e çuditëshme ka ndodhur dje gjatë protestave në shtetin e Izraelit. Kanabisi ra nga qielli në Izrael, pasi një dron lëshoi qindra thasë me kanabis mbi qendrën e Tel Aviv.
Dhjetëra njerëz të befasuar nxituan në rrugën e zënë për të mbledhur paketat, të cilat u hodhën nga një grup i quajtur “Green Drone”, sipas Jerusalem Post.
Green Drone avokon për legalizimin e marihuanës në Izrael, ku substanca është ende kryesisht e paligjshme, përveç në situata të caktuara mjekësore.
Pak para rënies, grupi postoi një mesazh në aplikacionin e mesazheve Telegram, duke paralajmëruar se çfarë do të bënin.
“Është koha vëllezërit e mi të dashur. A është një zog? A është një aeroplan? Jo, është droni i gjelbër, duke shpërndarë kanabis falas nga qielli … Gëzoni vëllezërit e mi të dashur, ky është vëllai juaj pilot, duke u siguruar që të gjithë të marrim ca dashuri falas”, shkruhej në mesazh.
Jerusalem Post tha se policia arrestoi dy persona të dyshuar për përdorimin e dronit dhe tha se ata po merreshin në pyetje.
Sidoqoftë, Green Drone ka premtuar të vazhdojë të hedhë një kilogram marihuanë në javë, mbi pjesë të ndryshme të vendit.
Ligjvënësit izraelitë aktualisht po debatojnë për një projekt-ligj që do të dekriminalizojë kanabisin dhe një tjetër që do ta legalizonte atë për përdorim nga të rriturit, sipas faqes në internet, Marijuana Moment.