Me një mjet tip “Mazda” është kapur një 40-vjeçar nga Tirana me 8 klandestinë në Pogradec.
Albert Ramaj u kishte premtuar klandestinëve kalimin për në BE kundrejt fitimit teksa u kap në lagjen nr.3 të Pogradecit.
Edhe kjo goditje nga Policia ishte në kuadër të operacionit ”Perimetri” i cili prej kohësh vijon në qarkun Korçë për të goditur rastet e trafikut të qënieve njerëzore në mënyrë të paligjshme.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Qarku Korçë
Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Goditet një tjetër rast në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Transportonte 8 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
- R., 40 vjeç, banues në Laprakë, Tiranë.
Shtetasi i mësipërm u kap në lagjen nr. 3, Pogradec, nga punonjësit e Policisë Rrugore, duke transportuar me mjetin tip “Mazda”, në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.