Komisionerja në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Suela Zhegu, është kallëzuar në SPAK nga një prej subjekteve që ajo do duhej të kontrollonte.
Bëhet fjalë për gjyqtarin Alaudin Malaj, i cili e ka konsideruar të papërshtatshme Komisioneren që të vazhdojë të kryejë vettingun e tij.
Përmes një kallëzimi të dorëzuar në SPAK nëpërmjet postës, Malaj ka renditur një sërë problemesh që bëjnë të pamundur vazhdimin e detyrës nga kjo Komisionere.
Përveç pasurisë që me sa duket nuk është verifikuar saktësisht nga komisionet e ngritura për këtë qëllim, Suela Zhegu është kallëzuar nga Malaj për veprën penale të “Falsifikimit të formularëve”, të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal .
Në këto rrethana, kallëzuesi kërkon pezullimin e ushtrimit të detyrës së Komisioneres të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deri në përfundim të hetimeve.
Gjyqtari Malaj pretendon se komisionerja është akuzuar nga të afërm të saj për mashtrim duke përvetësuar pasuri që nuk i përkasin.
Dhe për këtë fakt ka patur dhe një hetim penal në Prokurorinë e rrethit Tiranë.
Ndërkohë dhe për bashkëshortin e Komisioneres rezultojnë disa hetime dhe dënime penale , ndër të tjera dhe Mosbindje ndaj punonjësit të policisë. Ai është hetuar në Tiranë e Durrës.