Kryeministi i Kosovës Avdullah Hoti ka folur këtë të mërkurë për dialogun Kosovë – Serbi.
Dialogu me Serbinë, ka shtuar Hoti, do të udhëheqet nga kryeministri i vendit.
“Dialogun e udhëheq kryeministri i Kosovës. Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet, javët dhe muajt e fundit, unë nuk do të bëj kurrfarë gare me bartësit tjerë institucionalë, pasi që kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta, përfshirë edhe kompetencat për dialog”, ka deklaruar Hoti.
Sa u përket parimeve të dialogut, Hoti tha se integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm.
“Nuk ka kuptim asnjë marrëveshje pa njohje reciproke, dhe jo njohje reciproke të përkohshme, por njohje reciproke që na siguron ulëse në OKB dhe na siguron njohjen nga pesë vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur”, ka shtuar mes tjerash ai.
Në anën tjetër, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka thënë se Kosova duhet t’i qaset seriozisht procesit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.
Kjo Akademi ka kërkuar që të ruhet integriteti territorial i Kosovës, në bazë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht, sipas Deklaratës së Pavarësisë 2008.