Dënohet me 3 vjet burg Erzen Uka, ish-komandoja në forcat paqeruajtëse në Irak, i cili u evidentua nga agjentët e antiterrorit si person me prirje të islamit radikal. Uka është deklaruar fajtor dhe dënuar nga gjykata e Tiranës, për akuzën e “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Vetë Uka ka deklaruar para gjykatës, duke kërkuar se kërkonte pafajësi, pasi është besimtar musliman, ka qenë në Afganistan, dhe nuk ka shprehur asnjëherë nxitje të islamit radikal. “…paraqitja e fotove e videove dhe mënyra si i kam edukuar fëmijët është çështje private. Ndërsa dy fishekët e sekuestruar në banesë, i kam mbajtur se kam qenë ushtarak…”-ka deklaruar Erzen Uka. Sipas dosjes së prokurorisë në 12 dhjetor 2019, rreth orës 20:00 është kryer ndalimi, në flagrancë i Erzen Uka, i njohur dhe i evidentuar si element me prirje radikale ekstremiste, simpatizant dhe përkrahës i organizatave ekstremiste ISIS, i cili në kohë të ndryshme ka shfaqur dhe demostruar duke qenë aktiv në rrjetet sociale, “Facebook”, postime me fotografi dhe video të simboleve të këtyre organizatave ekstremiste.