Kosova sot shënon 21-vjetorin e çlirimit të saj, ku falë ndërhyrjes së KFOR-it, nën misionin e udhëhequr nga NATO-ja, ata zbarkuan në orët e para të 12 qershorit në Kosovë.
KFOR-i ka kujtuar këtë datë përmes një komunikate për medie, duke thënë se nga 12 qershori i vitit 1999 Kosova ka hyrë në një periudhë të re të paqes dhe të zhvillimit.
“Në orët e para të 12 qershorit 1999 kontingjentet nga shumë shtete hynë në Kosovë nën shenjën e KFOR-it dhe filluan misionin e udhëhequr nga NATO-ja, që sot shënon përvjetorin e 21-të. Kosova hyri në një periudhë të re të paqes dhe të zhvillimit, gjithashtu falë kontributit të KFOR-it për mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, KFOR-i thotë se pas përmirësimit të sigurisë në terren është zvogëluar edhe numri i trupave të këtij misioni, nga 55.000 trupa sa ishin në vitin 1999, në 3.500 tani, të cilët janë nga 27 shtete të ndryshme nën komandën e gjeneralmajorit Michele Risi.
Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshueshëm dhe faktor i stabilizimit për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës.
“Besoj fuqishëm se situata stabile nga perspektiva e sigurisë është kusht i domosdoshëm për dialog dhe për bashkëpunim. KFOR-i do të vazhdojë ta japë kontributin e tij për ta kapërcyer situatën drejt një të ardhmeje më të ndritshme për gjeneratat më të reja të Kosovës”, deklaroi gjeneral Risi me rastin e përvjetorit të KFOR-it.
“KFOR-i gjithashtu e përkrahu reagimin ndaj pandemisë COVID-19 në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe dhurimin e sasive të konsiderueshme të pajisjeve për mbrojtje personale dhe ndihmën me dërgesat e përkrahjes dypalëshe nga shtetet aleate, që kontribuojnë me trupa në KFOR, si për shembull: Austria, Italia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, për shumë komuna kosovare. Aftësia e KFOR-it për të kryer operacione në baza ditore nuk është zvogëluar nga virusi, trupat kanë vazhduar patrullimin dhe ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese kanë vazhduar me realizimin e aktiviteteve të tyre, duke i ndërmarrë të gjitha masat parandaluese në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet më tej në njoftim.