Kreu i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, e cilësoi të turpshme dhe të dënueshme dhunën ndaj naftëtarëve të Ballshit, të cilët prej muajsh kërkojnë rrogat e prapambetura. Ai u shpreh se sa të jenë në pushtet partitë e vjetra, nafta shqiptare do të jetë burim pasurie për qeveritarët dhe klientët e tyre dhe mallkim për naftëtarët dhe familjet e tyre.
Reagimi i Kokëdhimës
E turpshme dhe e dënueshme dhuna ndaj naftëtarëve të Ballshit, të cilët prej muajsh kërkojnë rrogat e prapambetura. Përgjigja me forcën e policisë është dajaku që jep shteti që ka falimentuar sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës shqiptare për interesa tërësisht korruptive dhe klienteliste.
Qeverisjet e Berishës dhe të Ramës e kanë rrënuar këtë pasuri të çmuar të popullit shqiptar, duke u dhënë biznesmenëve të tyre qindra milionë euro dhe duke lënë pa bukën e gojës specialistët dhe punëtorët.
Sa të jenë në pushtet partitë e vjetra, nafta shqiptare do të jetë burim pasurie për qeveritarët dhe klientët e tyre dhe mallkim për naftëtarët dhe familjet e tyre.