“Integrimi i Shqipërisë në BE dhe i vendeve të ish-Jugosllavisë duhet të vazhdojë”. Kështu u shpreh kryeministri italian, Giuseppe Conte teksa mori pjesë në Konferencën për 45-vjetorin e Traktatit të Helsinikit, mbajtur sot në Romë. Kryeministri shpjegoi edhe pse kjo është një çështje delikate.
“Janë pesë vende të ish Jugosllavisë dhe Shqipëria, të cilat aspirojnë të jenë pjesë e familjes europiane. Është një proces shumë kompleks e shumë delikat”, u shpreh Conte, duke shtuar se “është i bindur që ky proces duhet absolutisht të vazhdojë”, raportojnë mediat italiane.
Conte theksoi se procesi i integrimit europian i këtyre vendeve duhet të kryhet sepse nëse nuk arrihet ky objektiv do të rrezikojmë të shohim këto vende të heqin sytë nga Europa dhe të kërkojnë aleatët e tyre të vjetër.
Për kryeministrin italian me procesin e integrimit të Shqipërisë e të vendeve të ish Jugosllavisë, është në lojë kredibiliteti i politikës së jashtme europiane.