Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, e veja e liderit të demokracisë Azem Hajdari dhe nëna e deputetes Rudina Hajdari.
“Vendim i pritshëm”deklaroi për mediat Hajdari pas vendimit.
Ndërsa avokati i zonjës Hajdari, Maks Haxhia, e cilësoi vendimin të paligjshëm.
“Nuk ishte aspak i ligjshëm. E patë vetë sesi nuk morën asnjë kërkesë,” tha ai duke paralajmeruar se do ta ankimojnë vendimin.
Trupa gjykuese përbëhej nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.
Vendimi erdhi tre ditë pas seancës dëgjimore. Një sërë mosdeklarimesh të pasurisë, deklarime jo të plota në vite dhe mohimi i revokimit të vizës nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, e vunë në pozitë të vështirë gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Tiranës.
Fatmira Hajdari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mbante deri sot.