Kryeministri Edi Rama në një komunikatë për mediat në Kosovë, deklaroi se do ta tërheqë padinë për shpifje të bërë ndaj Ramush Haradinajn.
Edi Rama zbuloi se e kishte njoftuar për tërheqjen e padisë, por Ramush Haradinaj refuzoi që ta takonte. “E kam njoftuar se nuk do të bëja dalje për mediat në çdo takim, por do mbaj një konferencë ku do ta tërheq padinë, jo se është e vogël për mua, por është shumë më e madhe ajo sot duhet të na bashkojë të gjithë. Nuk e di cfarë roli ka tërheqja e padisë në raportet mes nesh. Përsa më takon, hiq atë pjesë, gjithcka tjetër është pa problem. Me apo pa padi apo pa shpifje, Ramushi për mua nuk është kryeministri, politikani, por një prej figurave historike. Padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht dhe kjo është e gjitha”.
Më tej ai dha dhe mendimin e tij për akuzat kundër presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk është avokat i Presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit dhe se Shqipëria nuk është kujdestare e Kosovës, por akuzat kundër tyre i cilësoi edhe njëherë si fletërrufe të pashembullta që abortuan një proces paqeje në Shtëpinë e Bardhë. “Është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj, përben një arsye, pavarësisht nëse është i rastësishëm apo i qëllimshëm, në prag të një takimi me rëndësi në Shtëpinë e Bardhë, për të thënë se historia e kësaj gjykate speciale të radhës, nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen” tha Rama.