Shumëllojshmëria e botës së egër ka rënë me më shumë se dy të tretat në më pak se 50 vjet, sipas një raporti të fundit nga grupi i ruajtjes WWF.
Raporti thotë se kjo “rënie katastrofike” nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi.
Dhe paralajmëron se natyra po shkatërrohet nga njerëzit me një normë që nuk është parë më parë.
Jeta e egër është “në rënie të lirë” ndërsa ne djegim pyje, peshkojmë shumë detet tona dhe shkatërrojmë zona të egra, thotë Tanya Steele, shefe ekzekutive në WWF.
“Ne po shkatërrojmë botën tonë – një vend që ne e quajmë shtëpi – duke rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe mbijetesën tonë këtu në Tokë. Tani natyra po na dërgon një SOS të dëshpëruar dhe koha po mbaron”.
Çfarë nënkuptojnë numrat?
Raporti pa mijëra lloje të ndryshme të botës së egër të monitoruar nga shkencëtarët e ruajtjes në habitate në të gjithë botën. Ata regjistruan një rënie mesatare prej 68% në më shumë se 20,000 popullata gjitarësh, zogjsh, amfibësh, zvarranikësh dhe peshqish që nga viti 1970. Rënia ishte provë e qartë e dëmit që aktiviteti njerëzor po i bën botës natyrore, tha Dr. Andrew Terry, drejtor i ruajtjes në Zoological Society of London (ZSL), i cili siguron të dhënat.
“Nëse asgjë nuk ndryshon, numrat padyshim do të vazhdojnë të bien, duke e çuar jetën e egër në zhdukje dhe duke kërcënuar integritetin e ekosistemeve nga të cilat varet”, shtoi ai.
Raporti thotë se pandemia e Covid-19 është një kujtesë e zymtë se si ndërthuren natyra dhe njerëzit.
Faktorët që besohet të çojnë në shfaqjen e pandemive – përfshirë humbjen e habitatit dhe përdorimin dhe tregtimin e botës së egër – janë gjithashtu disa nga faktorët kryesorë të rënies së jetës së egër.
Situata në Shqipëri
Biodiversiteti i ujërave të ëmbla po bie më shpejt se çdo tjetër. Që nga viti 1900 ne kemi humbur më shumë se 70% të ligatinave globale, ndërsa popullatat në habitatet e ujërave të ëmbla kanë pësuar një rënie prej 84% – më shumë se ato të oqeaneve ose pyjeve. Lumenjtë e botës po mbyten nga infrastruktura ekzistuese dhe e re, konsumi i ujit po rritet çdo vit, peshkimi i ujërave të ëmbla po zbrazet dhe jetesa e miliona njerëzve është në rrezik. Situata nuk është e ndryshme në rajonin tonë.
“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria përjetoi disa periudha përmbytjesh të mëdha, të pasuara nga thatësira. Këto ngjarje ekstreme janë simptoma të krizës klimatike dhe lumenjve të degraduar, pasi vendi mbështetet tek energjia hidrike për të prodhuar elektricitet. Ndërkaq, projektet për hidrocentrale vazhdojnë të shumohen në të gjithë vendin. Megjithatë, komunitetet po reagojnë, duke qënë të vetëdijshëm se burimi i tyre më i çmuar – uji – duhet të mbetet një e mirë publike, në vend që të bëhet një gjenerator të ardhurash për investitorët e etur për fitim. Ajo çka mësojmë nga Raporti mbi Gjëndjen e Planetit, është se uji është jetë, dhe se biodiversiteti i ujërave të ëmbla, lumenjve dhe ligatinave të shëndetshme dhe përdorimi i qëndrueshëm i ujit janë parakushti për ndërtimin e një shoqërie rezistente dhe të shëndoshë”, thotë Rea Nepravishta nga WWF Adria.
“Ne duhet të këmbëngulim jo vetëm për mbrojtjen e lumenjve tanë, disa nga lumenjtë e fundit natyrorë me rrjedhje të lirë në Europë, por edhe në ruajtjen e ligatinave bregdetare unike të Shqipërisë. Përfitimet e shumta që ato ofrojnë për komunitetet dhe natyrën, nga stabilizimi i bregdetit dhe filtrimi i ujit te potenciali i turizmit dhe qëndrueshmëria e klimës, duhet të formojnë themelin mbi të cilin mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme. Duke u orientuar drejt ruajtjes dhe ripërtëritjes së natyrës, si dhe investimeve të qëndrueshme, vendi mund të vihet në rrugën e rimëkëmbjes së gjelbër në botën që vjen pas COVID-19.”
Duke rritur biodiversitetin e ujërave të ëmbla, ne po mbështesim shëndetin e njeriut në një larmi mënyrash – nga ulja e rrezikut të sëmundjeve të reja deri te sigurimi i ushqimit për një numër të madh njerëzish. Trendet aktuale tregojnë që ne duhet të veprojmë tani. Për të përkulur kurbën e humbjes së biodiversitetit të ujërave të ëmbla, ne duhet të zbatojmë një plan emergjence me gjashtë hapa. Kjo përfshin lejimin e lumenjve që të rrjedhin natyrshëm, zvogëlimin e ndotjes, mbrojtjen e habitateve kritike të ligatinave, dhënien fund peshkimit të tepërt dhe nxjerrjes së paqëndrueshme të rërës, kontrollin e specieve invazive dhe ruajtjen dhe rivendosjen e ndërlidhjeve natyrore.
Udhëheqësit botërorë duhet të veprojnë tani
Raporti mbi Gjëndjen e Planetit 2020 publikohet më pak se një javë para sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kur udhëheqësit pritet të rishikojnë progresin e bërë në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Marrëveshjen e Parisit dhe Konventën për Diversitetin Biologjik (CBD). UNGA 2020 do të sjellë së bashku udhëheqësit botërorë, bizneset dhe shoqërinë civile për të zhvilluar kornizën “post-2020” me nevojën për veprim për biodiversitetin global duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm për të vendosur bazat për një Marrëveshje të Re për Natyrën dhe Njerëzit.
Lambertini tha: “Nëse do të kemi ndonjë shpresë për të ripërtërirë natyrën, për t’u siguruar brezave të tanishëm dhe të ardhshëm atë që u nevojitet, atëherë udhëheqësit botërorë duhet – përveç përpjekjeve për ruajtjen e natyrës – ta bëjnë sistemin tonë ushqimor më të qëndrueshëm dhe të heqin pyjet nga zinxhiri i furnizimit. Me udhëheqësit që mblidhen virtualisht për Asamblenë e Përgjithshme të KB brenda pak ditësh, ky hulumtim mund të na ndihmojë të sigurojmë një Marrëveshje të Re për Natyrën dhe Njerëzit e cila do të jetë thelbësore për mbijetesën afatgjatë të popullatave të botës së egër, bimëve dhe insekteve dhe tërë natyrës, përfshirë gjithë njerëzimin.”