Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për klimën e investimeve për vitin 2020 sërish e citon Shqipërinë si një nga vendet e vështira për të bërë biznes.
“Pavarësisht nga një kornizë e shëndoshë ligjore dhe përparimit në reformën elektronike, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave, si problemet e vazhdueshme në Shqipëri.
Raportimet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.
Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare, si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar.
Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin”, thuhet në raport.
Raporti vazhdon duke theksuar se të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri sepse titulli i qartë është i vështirë për t’u fituar. Ka pasur raste që individë dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës.
Mbivendosja e titujve të pronave është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokën e konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë joefikas dhe i papërshtatshëm. Megjithatë, parlamenti miratoi një ligj mbi regjistrimin e kërkesave të pronës në 16 Prill, i cili do të sjellë një lloj lehtësimi për mbajtësit e titullit.
Vlerësohen shërbimet online
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar ndërkohë kalimin e shërbimeve online.
Në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, zyrtarët amerikanë theksojnë̈ se e-Albania është një përparim domethënës i qeverisë shqiptare në punën e saj për revolucionin digjital.
Sipas raportit të DASH, kalimi i shërbimeve online përmes e-Albania rrit ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve pasi shmanget kontakti fizik me zyrtarët dhe goditet korrupsioni.
Raporti vlerëson se aktualisht qytetarët shqiptarë marrin 61% të shërbimeve publike online, ose 15% më shumë sesa vitin e kaluar, ndërsa pritet që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të kalojë 91% të të gjitha shërbimeve publike online në një kohë të shpejtë.
“Qeveria ka bërë përparime domethënëse me agjendën e revolucionit digjital. Në janar 2020, 61% e shërbimeve publike ndaj qytetarëve dhe bizneseve u mundësuan online përmes portalit e-Albania, 15% më shumë se në vitin 2019.
Reforma është në vazhdim, dhe qeveria synon që në dhjetor 2020, 91% e gjithë shërbimeve të jenë të mundshme online. Kjo mund të ndihmojë në uljen e kurbës së korrupsionit pasi kufizohen kontaktet direkte të funksionareve publik”, thuhet në raportin e DASH.