Spitali i Durrësit ka sqaruar situatën në të cilinën ndodhet Urgjenca pas flakëve që ka përfshirë këtë pavijon.
Spitali thotë se ka qenë një shkëndijë elektrike e cila ka shkaktuar zjarr, por pa pasoja.
Më tej thotë se nuk ka asnjë të lënduar dhe 7 pacientë që po merrnin shërbim në këto ambiente janë transferuar. “Në urgjencën e spitalit të Durrësit gjatë mesditës së sotme ka ndodhur një shkëndijë elektrike, e cila ka shkaktuar tym në ambientet e urgjencës, por fatmirësisht pa pasoja.
Nuk ka asnjë të lënduar dhe 7 pacientët që po merrnin shërbim në Pavijonin e Urgjencës janë transferuar në ambiente të tjera. Situata aktualisht është e qetë dhe është kryer ventilimi i ambienteve të spitalit, për të vijuar punën normalisht,”– shkruhet në njoftim.
Kujtojmë që ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës. Kjo është hera e katër që ky spital përfshihet në flakë.
Në janar të këtij viti, një masë në kabinën elektrike prej ngarkesës në rrjet bëri që një zjarr i madh të përfshinte repartin e neurologjisë, dhe më pas vijoi deri në katin e katërt për shkak të strukturës me një kolonë të spitalit. Dy herët e tjera, spitali është djegur në vitin 2013 dhe në vitin 2015.