Partia në pushtet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç pritet të konsolidojë pushtetin pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale që po mbahen sot. Procesi u zhvillua edhe në komunat e Kosovës, ndërsa në Luginën e Preshevës koalicioni shqiptar synon disa deputetë në Kuvend.
Në Serbi po mbahen zgjedhjet për parlamentin e ri dhe bashkitë që shihen si referendum për konservatorët e presidentit Aleksandër Vuçiç, pas 8 viteve në pushtet.
Kutitë e votimit u hapën të dielën në orën 7 të mëngjesit për rreth 6 milionë e gjysmë serbët me të drejtë vote.
Qytetarët do të mund të shprehin qëndrimet e tyre politike deri në orën 22 të mbrëmjes, nën masat e detyrueshme të maskave dhe dezinfektimit të duarve për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Sondazhet paraprake nxjerrin të parën Partinë Popullore Serbe të Ana Bërnabiçit me gati 50 për qind të votës, dhe aleatët socialistë të Ivica Daçiçit, ndërsa radikalët e Vojislav Sheshelit renditen të tretët.
Në listën vendore dhe kombëtare garojnë mbi 20 subjekte dhe koalicione politike.
Disa parti opozitare e kanë bojkotuar procesin duke e konsideruar jo të lirë dhe të ndershëm, e njësoj si organizata amerikane, “Freedom House”, kanë akuzuar kreun e shtetit, Vuçiç, për kapje të shtetit, për abuzim me pushtetin dhe për taktika prej autokrati.
Ndërkohë, për agjencinë e lajmeve, Rojter, qytetarët shprehen të kënaqur me peizazhin aktual politik.
“Kjo është rruga e duhur. Kujtoj kohët e Titos që bëhej gjithmonë mirë e më mirë. Kjo po ndodh edhe tani, këto 5-6 vitet e fundit, ka një lloj përmirësimi.”
“Votova që gjërat të mbeten siç janë. Do shohim si do votojnë edhe të tjerët por kështu ka për të qenë.”
Për 250 deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan të dielën edhe serbët e shpërndarë në komunat e Kosovës, me mbështetjen e OSBE-së dhe trupave të KFOR-it.
Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë u kundërshtua nga Lëvizja opozitare “Vetëvendosje”.
Në Luginën e Preshevës, ndërkohë, pritet me interes përfaqësimi i 5 partive politike shqiptare që garojnë në siglën e “Luginës së Bashkuar”.
Pas zgjedhjeve, Serbia do jetë nën presionin ndërkombëtar për të avancuar dialogun dhe çështjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare në vend ishin parashikuar të mbaheshin fillimisht në javën e fundit të prillit por u shtynë pas gjendjes së jashtëzakonshme prej koronavirusit.