ShBA mbetet e vendosur për të mbajtur takimin mes Kosovës dhe Serbisë në një datë tjetër.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka mirëkuptuar vendimin e kryeministrit Hoti për të anuluar takimin e 27 qershorit pas zhvillimeve të fundit me presidentin Thaçi, duke deklaruar se mezi pret të caktojnë të datë të re.
“Faleminderit, Kryeministri Hoti. Ne e kuptojmë vendimin tuaj dhe mezi presim të ri-caktojmë takimin së shpejti”.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi të enjten nga Brukseli se ka kërkuar shtyrjen e takimit për më vonë, porse situata nuk rrezikon perspektivën e dialogut.
“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i aktakuzës të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, unë duhet të kthehem në vendin tim për t’u marrë me situatën. E njoftova Ambasadorin Grenell se nuk mund të merrja pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë”.
Deklarata e Hotit, pasoi atë të presidentit Thaçi, i cili me të mësuar pretendimet e Prokurorisë Speciale kundër tij, të mërkurën i prishi planet për pjesëmarrjen në Uashington.
Emisari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grënell, por edhe Departamenti i Shtetit në një reagim për “Zërin e Amerikës”, thanë se i mirëkuptojnë vendimet.
Vetë Veseli, një nga drejtuesit e lëvizjes studentore të Kosovës në fundvitet ’80 dhe komandant i Shërbimit Informativ gjatë periudhës së UÇK-së, tha se do i faktojë akuzat e pabaza, për të provuar se ishte Serbia, jo shqiptarët, përgjegjëse për ndodhitë e shekullit të kaluar.
Të enjten, reagimi i presidentit Thaçi ishte më figurativ, duke e hapur faqen e tij të Facebook-ut me flamurin e UÇK-së të shtrirë mbi një sfond të zi.
Zyra e Prokurorit në Hagë njoftoi të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, një aktakuzë me dhjetë pika që brenda muajit tetor do duhet të shqyrtohet ose të hidhet poshtë nga një gjyqtar.