Sipas Bankës së Shqipërisë 96% e konsumatorëve realizojnë pagesa me para cash. Tashmë blerja me para në dorë është bërë një fenomen I zakonshëm në Shqipëri, por me kosto për ekonominë.
Institucionet financiare kanë ngritur shqetësimet e tyre pasi ky veprim ndikon në nivelin e ekonomisë informale. Rreth 66% e totalit llogariten pagesat e bizneseve me para në dorë. Kjo situatë vjen si pasojë e nivelit të ulët të kulturës financiare si dhe numrit të ulët të përsonave që kanë një llogari, por dhe si pasojë e një mundësie të kufizuar pranimi të pagesave elektronike. Në Shqipëri vetëm 40% e popullsisë në moshë madhore që kanë një llogari transaksioni me një bankë.
Nga ana tjetër, në rajon dhe në Europë normat e zotërimit të popullsisë janë mbi 70% në moshë madhore, duke renditur kështu Shqipërinë me nivelin më të ulët të llogarive. Kjo varësi e lartë nga paraja fizike rezulton se i kushton ekonomisë shqiptare rreth 1.7% e PBB.
Pagesat elektronike në Shqipëri janë rritur gjatë viteve të fundit,por ende nuk përdoren në masë. Edhe pse për shkak të pandemisë, muajt e fundit kanë shënuar një ndryshim të shpejtë në sjellje duke kontribuar në një rritje të beftë të përdorimit të instrumenteve të tilla, sërish mbeten larg objektivave.
Tashmë banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një nismë për të nxitur pagesat elektronike duke ndërhyrë si fillim në rritjen e ndërgjegjësimit dhe kulturës financiare te qytetarët por edhe në zgjerimin e pikave të aksesit.