Sistemi arsimor shqiptar përllogarit 17.1 nxënës për mësues në arsimin publik, me ngarkesë nga më të lartat në Europë, por disa vende të zhvilluara të kontinentit e kanë edhe më të lartë ngarkesën për stafet arsimore.
Sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2018 mesatarja e nxënësve për mësues ishte 13.6 në vendet e BE-së. Ngarkesën më të lartë të trupës arsimore e ka Rumania me 19.5 nxënës për mësues, më pas vjen Çekia me Franca me 19.2.
Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në 2018i, numri i tyre ishte 29000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit. Gjithashtu numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, ndërsa me 2018 kishte 1134 shkolla. Afërisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit.
Numri i klasave është reduktuar më tej. Nga 37 mijë klasa që ishin në fillim të viteve 1990, aktualisht janë rreth 11 mijë klasa. Numri i tyre është reduktuar me 70% përgjatë 28 viteve.
Sipas INSTAT, ulja e numrit të nxënësve ka sjellë dhe një rënie të raportit nxënës për mësues, në 17.8 në vitin akademik 2017/2018, nga 19.1 në vitin akademik 2013/2017, për ciklin 9-vjeçar.
Ministria e Arsimit pohoi se, prej vitit 2009 migrimi i brendshëm i popullatës nga fshatrat dhe qytetet e vogla drejt qendrave më të mëdha urbane, emigracioni dhe rënia e numrit të lindjes kanë bërë që shkollat në zona urbane të kenë më shumë nxënës se sa në ato rurale.