Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Pishë të Fierit, ku një çift të moshuarish kanë rënë prej e një grabitje. Për ngjarjen u arrestua një 47-vjeçar, i cili me një sëpatë në dorë ka thyer derën e banesës së çiftit të moshuar dhe u ka vjedhur atyre 30 mijë lekë.
Ngjarja ka ndodhur dje në orën 23:00, ku 47-vjeçari me iniciale P.DH. është futur me forcë duke thyer derën e banesës së shtetasit V. P., 70 vjeç, dhe nën kërcënimin e sëpatës ka arritur të marrë me dhunë 30 mijë lekë të reja dhe më pas është larguar. Pas ngjarjes, të moshuarit kanë lajmëruar policinë,e cila ka bërë të mundur arrestimin e 47-vjeçarit, i cili do të përballet në gjykatë me veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë arrestimit, atij iu sekuestruan paratë e vjedhura si dhe sëpata me të cilën kërcënonte të moshuarit.
Dëshmia e çiftit të moshuar që u grabitën në Fier: “Sëpatën e mbante lart dhe bërtiste dua paratë, është fqinji ynë, para një jave doli nga burgu”
Grabitja me dhunë dhe sëpatë në dorë në mes të natës ka terrorizuar çiftin e moshuar Vangjel dhe Athina Prifti, të cilët kishin rënë për të fjetur gjumë. Ishte zhurma e fortë për të shqyer derën që ngriti dhe i terrorizoi të moshuarit në mes të natës.
Grabitësi Pajrim Dhana, 47 vjeç, është një person me precedent penal, i cili ka qenë disa herë i arrestuar dhe se para një javë kishte dalë nga burgu. Të moshuarit shprehen se ai nuk i dhunoi, por i terrorizonte gjatë gjithë kohës me sëpatë në dorë, deri sa ata i dhanë ato pak para që kishin në shtëpi. Konkretisht sipas policisë çiftit i është vjedhur 30 mijë lekë.
Në dëshminë e dhënë për Report Tv, bashkëshorti Vangjel Prifti shprehet se e njeh autorin dhe se banon 50 metra lart shtëpisë së tij dhe se ishte i pamaskuar.
“Unë jam vetëm me gruan dhe ramë në gjumë, në orën 23:20 të natës na trokitën në derë. Trokiti tek dera para dhe më pas shkoi derën pas dhe më pas erdhi sërish para. Me një sëpatë që kishte në dorë theu xhamin dhe pastaj hyr brenda. Ja këtu e ka shtëpinë autori. Dua lekët më tha. Autori është i pa martuar, i pa maskuar dhe e ka shtëpinë 50 metra larg shtëpisë time. Ne e njohim. Mori lekët e iku, më pas erdhi policia dhe e arrestoi. Ai ishte fshehur në një shtëpi tjetër, jo në të tijën. Gruaja qante në vend, unë nuk lëvizja“, tha Vangjeli.
Tmerrin e kaluar e treguar edhe e shoqja, Anithaja, e cila u shpreh se personi ishte problematik dhe se kishte vetëm një javë që kishte dalë nga burgu.
“Në orën 22:0 ishim te kuzhina dhe ramë për të fjetur. Në 23:20 ka ardhur ai. Në fakt dëgjova një zhurmë fillimisht po mendova rrugë se ka zhurma gjithmonë këtu. Kur filloi të shqyej derën i thash burri ngrihu. Bashkëshorti e mbante derën fort, ai e shtynte me shkelma deri sa theu xhamin, futi dorën dhe hapi çelësin. Paratë tha ai me sëpatë në dorë. Ato 5 lekë që kishim ia dhamë, i mori lekët dhe iku. Autori është banor i zonës, një javë para doli nga burgu, ai ka qenë problematik disa herë në burg. Ka menduar se pleq dhe nuk e mposhtin dot dhe veproi ashtu”, tha Athinaja.