Fjalimin që e kishte përgatitur për ta mbajtur në foltoren e Parlamentit, deputeti socialist Ditmir Bushati e ka publikuar në rrjetet sociale, për shkak se nuk i është dhënë fjala.
Duke komentuar raportin e qeverisë mbi ecurinë e procesit të integrimit, ish-ministri i Jashtëm thotë se Shqipëria duhet të adresojë një orë e më parë detyrat e vëna nga Bashkimi Evropian, duke përmendur këtu krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, përveç reformës zgjedhore.
Bushati thekson se në tri dekada, reformat nuk janë bërë për të zgjidhur shqetësimet e shqiptarëve dhe në të shumtën e rasteve këto reforma thjesht janë përkthyer dhe kopjuar pa marrë parasysh nevojat e Shqipërisë.
“Hendeku ynë zhvillimor me BE-në, më shumë sesa ekonomik, i ka rrënjët pikërisht tek mungesa e pronësisë së reformave që janë jetike për një shoqëri demokratike”, thotë ai.
Bushati thekson se me hapjen e negociatave, jeta e shqiptarëve nuk do të ndryshojë, por se ky proces duhet të na ndihmojë për arritjen e standardeve.
“Për rritjen e mirëqenies, për ndalimin e hemorragjisë demografike dhe për t’i bërë të gjitha fashat e shoqërisë protagoniste të transformimit të Shqipërisë. Ky është testi i modernitetit për shoqërinë shqiptare që shkon përtej politikës së ditës. Ndaj na duhet para së gjithash të përcaktojmë një emërues të përbashkët, sesi do të punojmë për të përmirësuar cilësinë dhe shpejtësinë e këtij procesi”, nënvizon ai.
Për këtë arsye, nënvizon Bushati, barrën kryesore e ka qeveria, ndërsa merita është e shqiptarëve.
“Ndaj, le të dëshmojmë PËRGJEGJSHMËRI, LARGPAMËSI DHE PRONËSI MBI REFORMAT!”, thotë ai.